Alumil Encounters” – Një Takim Frymëzues për Arkitekturën Mesdhetare

Shprehu Web

Më 12 Qershor 2025, në ambientet elegante të Hotelit Melia në Durrës, u zhvillua eventi “Alumil Encounters”, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin arkitekturor shqiptar, i organizuar nga Alumil Albania. Ky aktivitet mblodhi disa nga figurat më të njohura të arkitekturës vendase, përfaqësues të studiove prestigjioze dhe akademikë për një diskutim të hapur mbi dizajnin bashkëkohor në rajonin Mesdhetar.

Eventi u çel me një fjalë përshëndetëse nga Z. Georgios Batsakis, Drejtor i Përgjithshëm i Alumil Albania, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes industrisë së ndërtimit dhe komunitetit të arkitektëve, si dhe rolin që luan Alumil në promovimin e inovacionit përmes materialeve të qëndrueshme si alumini.

Në qendër të takimit ishte tema “Materiale, Mendje dhe Frymë Mesdhetare”, e cila u fokusua në ndikimin e materialeve ndërtimore dhe koncepteve kreative në formësimin e hapësirave të frymëzuara nga veçoritë unike të Mesdheut.

Pika kulmore e eventit ishte prezantimi i veçantë nga “K Studio”, studioja e njohur ndërkombëtare e arkitekturës me qendër në Greqi. I ftuari special, Kostandinos Karampatakis, bashkëthemelues i studios, ndau me të pranishmit një përzgjedhje projektesh mbresëlënëse të realizuara në Greqi dhe jashtë saj, përfshirë edhe Shqipërinë. Prezantimi i tij solli një perspektivë të rafinuar mbi dizajnin si një pasqyrim i kulturës dhe identitetit lokal.

Diskutimi u thellua më tej përmes një paneli profesionistësh të industrisë, ku morën pjesë:

Armand Vokshi, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT,

Ervin Taçi, Bashkëthemelues i “MA Studio & Partners”,

Jetmir Goga, Bashkëthemelues i “X Plan Studio”,

Ani Tola (Panariti), Zv. Dekane e FAU,

Enval Xhoxhi, Menaxher i Konsulencës për Klientët në Alumil Albania.

Panelistët ndanë mendimet e tyre mbi zhvillimet më të fundit në arkitekturë, sfidat klimatike dhe rëndësinë e integrimit të materialeve ekologjike në ndërtim. Diskutimi ngjalli interes të madh dhe ndërveprim të gjallë me publikun, i përbërë nga profesionistë të fushës.

Eventi u përmbyll me një koktej në ambientet e jashtme të hotelit, ku të ftuarit patën mundësinë të vazhdonin rrjetëzimin në një atmosferë relaksuese dhe miqësore.

“Alumil Encounters” rikonfirmoi rolin e Alumil Albania si një partner i besueshëm për arkitektët dhe si një katalizator për dialogun profesional mbi dizajnin bashkëkohor dhe praktikat e qëndrueshme të ndërtimit. Ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse mes kreativitetit, teknologjisë dhe kulturës arkitekturore në Mesdhe.