Vjedhjet e ‘bollës’ së Check Up-it Vilma Nushit me burrin e mbesës, kunatin, motrën dhe nipin, dosja prej 4 vitesh në SPAK. KLSH dokumentoi zhvatjen me analiza fiktive, oligarkja po zhduk provat

Vilma Nushi
Vilma Nushi është protagoniste e një afere flagrante korruptive me paratë publike, duke përdorur si kamuflim burrin e mbesës së saj, nipin, motrën, kunatin dhe punonjëse të saj, në bashkëpunim Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë. Gruaja që personifikon aferën korruptive të koncensionit të check up-it, Vilma Nushi, vetëm me analiza të pakryera dhe rimburismin e padrejtë të TVSH, ka futur në xhep mbi 6 milionë euro.
Edhe pse vjedhjet e ‘bollës’ së check up-it në bashkëpunim me kupolën e Minisrisë së Shëndetësisë janë faktuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Vilma Nushi vijon të mbetet për SPAK një monument i pandëshkueshmërisë. Që pas themelimit të SPAK, Vilma Nushi ka ndërmarrë disa veprime, duke kamufluar dhe avulluar kompanitë e saj.
Vilma Nushi e kontrollon koncensionin korruptiv të check up-it përmes kompanisë së saj kryesore të shitjes së mallrave MARKETING & DISTRIBUTION, e cila ka 80 % të aksioneve të kompanisë koncensionare 3P Life Logistic.

20 % të aksioneve në kompaninë koncensionare 3P Life Logistic i zotëron kompania farmaceutike Trimed, përfituese e rreth 1300 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 40 milionë euro.
Kompania Trimed është themeluar në vitin 2004. Në 16 qershor të vitit 2008, Avenir Peposhi i ka dhuruar Vilma Nushit 50 % të aksioneve të kompanisë Trimed.
Në 24 mars 2017, Vilma Nushi i shet 50 % të aksioneve të kompanisë Trimed, për 300 mijë euro, shtetasit britanik, Dominic Noel William, i cili është bashkëshorti i mbesës së Vilma Nushit, Ledina Hido (vajza e Majlinda Hido, motra e Vilma Nushit).
Tashmë e kamufluar me burrin e mbesës, Vilma Nushi përlan miliona euro tendera edhe me kompaninë Trimed. Në 20 gusht 2019, Dominic Noel William Evans i shet 50 % të aksioneve që zotëronte te Trimed shtetasit Endrit Hido për 300 mijë euro.

Endri Hido është nipi i Vilma Nushit. Aksionet e kompanisë Trimed Vilma Nushi i kaloi nga duart e saj, në duart e dhëndrrit dhe më tej tek nipi, si person i besuar.
Nga viti 2019, kompania Trimed ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 16 milionë euro, ndërsa nga viti 2015 ka marrë rreth 40 milionë euro. Pjesën tjetër të aksioneve, Vima Nushi i kontrollon përmes punonjëses së saj, Gentiana Peshkatari (Peposhi).
Kompania e barnave Riofarma SHPK është një tjetër subjekt i sajuar nga Vilma Nushi, për t’a përdorur në procedurat e tenderave fiktivë. Këtë kompani, Vilma Nushi e kishte kaluar në emrin e kunatit të saj, burrit të motrës, Edmond Hido.